"Zbulohet" makina e blinduar e diktatorit Enver Hoxha (FOTO)


"Zbulohet" makina e blinduar e ish-diktatorit Enver Hoxha. Pas më shumë se gjashtë dekadash, automjeti tip "Skoda", me të cilën ka lëvizur ish-udhëheqësi komunist është gjetur në një servis makinash në qytetin e Lezhës.

 Lajmi bëhet me dije nga burime zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër. 
Drejtori i këtij institucioni, njëherësh dhe me profesion gazetar, Besi Bekteshi, dje deklaroi se një nga repertet më të rëndësishme të asaj kohe, tashmë ka pronar një qytetar nga Lezha (me emrin Bledar). Ndërkohë, ky i fundit është shprehur se "Skoda" e blinduar të Enver Hoxhës dhe e lënë e prishur në rezervat e shtetit është marrë prej aty dhe tashmë ndodhet në servisin e tij. I pyetur se sa i ka kushtuar për ta blerë, Bledari ka pohuar: "Më ka kushtuar shumë, por vlerën nuk do e them".



Pronari i makinës me të cilën lëvizte ish-diktatori në vitet '50-të ka pohuar se është interesuar dhe e ka gjetur atë, pasi gjyshi i tij ka qenë shok me Enver Hoxhën, madje në disa foto kanë dalë së bashku. "Së pari, makinën do ta rregulloj dhe do ta bëj funksionale, siç ka qenë më parë. Pastaj do mendoj nëse do e çoj në muze apo do e shes. Ajo i ka të gjitha të rregullta, dhe sediljet ku është ulur Enveri. 'Skoda' ndodhet në ofiçinë dhe ka shumë plumba në xhamat e blinduar të saj. Gomat i ka prej mishi, pra të mbushura dhe jo tubolare, të cilat akoma qëndrojnë, por janë të shfryra. Në xhamin e shoferit është bërë një vrimë e madhe nga breshëritë e fishekëve dhe goditje me sende të forta për të provuar nëse mjeti është i blinduar. Timoni është origjinal dhe sediljet po ashtu.


Është me të vërtetë një repert i jashtëzakonshëm, i cili ka transportuar Enver Hoxhën në vitet '50-të", ka thënë Bledari. Ndërkaq, drejtori i Rajonal i Kulturës Kombëtare në Shkodër, Besi Bekteshi pohoi për "Gazeta Shqiptare" se, pas kërkimeve të bëra rreth markës së makinës së blinduar, ka rezultuar se ajo ka shërbyer për udhëtim të sigurtë për kryetarët e shteteve, liderët e partive dhe komandantët suprem të forcave të armatosura. 
"Kam bërë një krahasim të makinës që ndodhet në Lezhë me ato të ruajtura në muzeun e Pragës dhe jam i bindur se kemi të bëjmë me një model të famshëm 'Skoda Vos', ku njëra prej tyre është marrë dhe përdorur nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Popullore Shqiptare të asaj kohe, Enver Hoxha. Ky model është prodhuar nga 1950-1952 në Çekosllovaki dhe në një seri të vogël prej vetëm 100 ekzemplarësh", u shpreh Bekteshi.

Sipas tij, varianti "Skoda Vos" e blinduar dhe me xhama të trashë për të duruar kalibrin 7.62 mm, vinte peshë 3900 kg dhe konsumonte rreth 40 litra karburant për 100 km dhe me shpejtësi maksimale 110 km në orë. Motor me katër kohë benzinë, me gjashtë cilindra Praga N4 ATA OHV dhe me dy karburatorë Solex. Motori është 5195 me 120 kuaj fuqi me vetëm 3200 xhiro, që ishin shumë për kohën si makinë e blinduar. Ishte me katër marshe, e gjatë 5.7 metra dhe e gjerë 1.95 metër me lartësi 1.75 m. Po sipas Besi Bekteshit, "Skoda" e blinduar e Enver Hoxhës nuk duhet të qëndrojë në servis. Mësohet se Enver Hoxha e ka mbajtur për 9 vite këtë makinë, për ta zëvendësuar më pas me një tjetër, tip "Zim" dhe më pas me "Mercedes".

Powered by Blogger.